Ndërlidhjet

Gjykata turke i hap rrugë kthimit të Shën Sofisë në xhami


Ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë.
Ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë.

Një gjykatë turke tha të premten se ka anuluar një dekret qeveritar të vitit 1934 përmes së cilit ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë ishte kthyer në një muze.

Gjykata, vendosi se dekreti ishte i paligjshëm, duke i hapur rrugën kthimit të ndërtesës në xhami, përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizjeje të tillë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në ndërtesën që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që mbikëqyret nga Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Erdogan nënshkroi dekretin për kthimin e muzeut në xhami.

Objekti është një nga monumentet më të vizituar në Turqi.

Katedralja ortodokse ishte shndërruar për një periudhë të shkurtër kohore, 1204-1261, në kishë katolike.

Më vonë, më 1453, pas pushtimit të Konstandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II, ky objekt ishte kthyer në xhami, duke shtuar katër minare në të.

Statusi i saj është ndryshuar në muze, sipas një dekreti të vitit 1934.

Më herët, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë që të ruajë statusin e muzeut për këtë objekt.

Cilat janë reagimet?

Udhëheqësja e UNESCO-s, Audrey Azoulay shprehu "keqardhje të thellë për vendimin e autoriteteve turke, "pa një dialog paraprak".

Ajo shtoi se ia kishte shprehur shqetësimin e saj, ambasadorit turk në UNESCO.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin me vendimin.

“Ne e kuptojmë se qeveria turke mbetet e angazhuar për të ruajtur hyrjen në Shën Sofia për të gjithë vizitorët, dhe mezi presim të dëgjojmë planet e saj për vazhdimin e administrimit, për të siguruar që ajo mbetet e qasshme për të gjithë", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se vendimi “nuk prek vetëm marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë, por marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian".

Keqardhje për vendimin ka shprehur edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

XS
SM
MD
LG