Ndërlidhjet

Kadri Veseli infektohet me koronavirus


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është diagnostifikuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veseli ka thënë se "jam mirë me shëndet dhe deri në shërim të plotë do të qëndroj në vetizolim".

Në javët e fundit në Kosovë pozitiv në koronavirus kanë rezultuar edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Më 10 korrik, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pati njoftuar se është infektuar nga virusi.

Kosova ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus gjatë periudhës së fundit.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë viktima nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen ka arritur në 158. Një ditë më herët ishte njoftuar për 150 viktima. Sipas Institutit viktimat kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.


Në bazë të raportit ditor, IKSHPK njofton se ka testuar edhe 420 pacientë të dyshuar me koronavirus, dhe prej tyre 181 kanë dalë pozitivë.

Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë - që nga mesi i muajit mars - ka arritur në 6.467.

"Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 136 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.505 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.804", thuhet në njoftimin e Institutit.

XS
SM
MD
LG