Përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë në Kosovë, sot protestuan para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që ky sektor, që është goditur nga pandemia e koronavirusit, të ndihmohet.
Përfaqësuesit e gastronomisë, në mënyrë simbolike, hodhën para qeverisë, “çelësat” e bizneseve të tyre.
Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se ky sektor, padrejtësisht është akuzuar nga autoritetet si “shpërndarës i koronavirusit”.
“Ju bëj thirrje qeverisë dhe parlamentit, kalojeni buxhetin, ndihmojeni biznesin sepse është koha e fundit që mund ta tregoni vetën. Ju bëj thirrje qeverisë, pas dy javësh me orar të shkurtuar, me idenë që jemi shpërndarës të virusit, e që nuk doli ashtu, që ta kthejë orarin deri në ora 12:00 (v.j. 24:00)”, tha ai.
Në fillim të muajit korrik, Qeveria e Kosovës vendosi që të rikthejë disa masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit. Njëra ndër to ishte që bizneset e gastronomisë të mos punojnë nga ora 21:00 deri në orën 5:00.
Qeveria e Kosovës ka thënë se me rishikimin e buxhetit, do të përfshihet edhe një Fond i rimëkëmbjes për të ndihmuar bizneset e goditura nga pandemia e koronavirusit.
Andaj, Shoqata e Gastronomëve, tha Kllokoqi, ka disa kërkesa që duhet të përfshihen në rishikimin e buxhetit.
“Kërkesat tona janë: subvencionim i pagave, mbulim 50 për qind i qirasë, shtyrje të pagesave të deklarimeve, riprogramim të kredive dhe ulje e TVSH-së në 8 për qind. Për sallat e dasmave dhe diskotekave që nuk kanë punuar sivjet, kërkojmë rimbursim financiar, konform tatimeve të paguara nga këto biznese”, tha ai, duke paralajmëruar se në të kundërtën bizneset e gastronomisë nuk do të japin përgjegjësi fiskale, nëse autoritetet nuk plotësojnë kërkesat e tyre.
Pas protestës, përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u ka thënë se masat e Pakos për rimëkëmbje ekonomike, “do ta lehtësojnë përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia”.
“Gjatë këtij takimi, u kërkua që gastronomia t’i respektojë me përpikëri masat e parapara ndaj COVID-19, në mënyrë që mos rrezikohet shëndeti i klientëve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit.
Sektori i gastronomisë në Kosovë konsiderohet si njëri ndër sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit.