Ndërlidhjet

OKB: Mbi 1,200 vdekje të civilëve në Afganistan në gjysmën e parë të 2020-ës


Ilustrim.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan ka thënë se në gjysmën e parë të 2020-ës janë regjistruar 1,282 vdekje të civilëve dhe 2,176 persona të plagosur.

Sipas raportit, në këto shifra përfshihen 340 fëmijë të vdekur dhe 727 të plagosur.

“Në kohën kur Qeveria e Afganistanit dhe talibanët kanë një mundësi historike për t’u bashkuar në tavolinën negociuese për bisedime të paqes, realiteti tragjik është se luftimet vazhdojnë, duke u shkaktuar dëm të tmerrshëm njerëzve çdo ditë”, ka thënë Përfaqësuesja e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin, Deborah Lyons.

Talibanët dhe militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë qenë mbrapa shumicës së vrasjeve, përkatësisht 58 për qind të tyre, është thënë në raport, duke shtuar se forcat pro-qeveritare kanë qenë përgjegjëse për 23 për qind të civilëve të vrarë apo të plagosur.

Këto shifra tregojnë për një rënie prej 13 për qind të numrit të të vdekurve dhe të plagosurve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 në këtë shtet.

Ky raport ka ardhur teksa përpjekjet për të arritur paqe në Afganistan janë duke hasur në vështirësi, për shkak të mospajtimeve rreth programit për lirim të të burgosurve në mes të Kabulit dhe talibanëve, derisa shkalla e dhunës është në rritje.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar një marrëveshje në muajin shkurt me qëllim të hapjes së rrugës për bisedime të brendshme në mes të militantëve dhe qeverisë së mbështetur nga SHBA-ja në Kabul.

Parakusht kyç për bisedime të brendshme është shkëmbimi i të burgosurve dhe zvogëlimi i shkallës së dhunës.

XS
SM
MD
LG