Ndërlidhjet

Koreja Veriore ashpërson masat mbrojtëse kundër koronavirusit


Flamuri i Koresë Veriore.
Flamuri i Koresë Veriore.

Koreja Veriore ka njoftuar më 28 korrik se do të marrë masa më të ashpra kundër koronavirusit të ri, duke përfshirë izolimin e qytetit kufitar Kaesong, me qëllim të luftimit të atij që mund të jetë rasti i parë i konfirmuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi në këtë shtet.

Agjencia e lajmeve, KCNA, ka thënë se masat e rrepta të karantinës dhe kontrollet në disa distrikte veçse kanë nisur, ndërkohë që janë duke u siguruar testet, veshjet mbrojtëse dhe pajisjet mjekësore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka shpallur emergjencë më 26 korrik, pasi një dezertor verikorean që mund të jetë infektuar me virus, dyshohet se është kthyer ilegalisht nga Koreja Jugore.

Nëse ky person vërtetohet se ka virus, ky do të ishte rasti i parë i konfirmuar zyrtarisht në këtë shtet, ndonëse shumë ekspertë besojnë se virusi tashmë është i përhapur atje.

Koreja Veriore ka raportuar se ka testuar 1,211 persona për këtë virus deri më 16 korrik, mirëpo të gjitha rezultatet kanë qenë negative, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përmes një deklarate më 28 korrik.

Në raport është thënë se 696 persona janë në karantinë.

Koreja Veriore ka sistem të brishtë shëndetësor, pasi spitalet kanë mungesë të energjisë së duhur elektrike, ilaçeve dhe ujit.

Regjimi i këtij shteti ka kohë që varet nga OBSH-ja për të siguruar ilaçe pasi sanksionet kundër Koresë Veriore e kanë bërë importin shumë të vështirë.

Në muajt e fundit ky shtet ka pranuar teste dhe pajisje mbrojtëse nga OBSH-ja e disa shtete, përfshirë Rusinë, mirëpo një pjesë e tyre janë mbajtur në kufi, për shkak të kufizimeve të vetë shtetit.

XS
SM
MD
LG