Ndërlidhjet

Britania shtyn vendimin për heqje të disa masave kufizuese


Kryeministri britanik, Boris Johnson.
Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka shtyrë planet për lehtësim të disa masave kufizuese, vetëm disa orë para se ato të nisnin së zbatuari, duke thënë se infektimet me koronavirus janë duke shënuar rritje për herë të parë nga muaji maj.

Qeveria britanike ka shtyrë planet për hapje të kazinove dhe disa qendra të ngjashme më 3 gusht, derisa planet për kthim të disa tifozëve në stadiume sportive nuk janë konfirmuar ende.

Johnson ka thënë në një konferencë për media se të dhënat kanë treguar për 4,900 infektime të reja çdo ditë, apo mbi 2,000 më shumë sesa në fund të muajit qershor.

“Ne nuk mund të përballojmë injorimin e këtyre të dhënave”, ka thënë ai.

“Me rritjen e këtyre numrave, detyra jonë është që të shtypim këmbëzën e frenave, në mënyrë që ta vendosim virusin nën kontroll”.

Johnson ka thënë se masat do të rishikohen pas dy javëve.

Ai ka thënë po ashtu se masa që kërkon vendosjen e maskave në dyqane dhe transport publik do të vlejë tani edhe nëpër muze, galeri, kinema dhe qendra të lutjes.

Një ditë më parë, qeveria britanike ka kthyer disa kufizime në veri të Anglisë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, duke u ndaluar familjarëve edhe vizitat te njëri-tjetri.

Britania është një prej vendeve të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Autoritetet atje kanë regjistruar 304,000 persona të infektuar dhe mbi 46,000 të vdekur me këtë virus.

XS
SM
MD
LG