Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon mbështetje për vazhdim të embargos për armët kundër Iranit


Ambasadorja amerikane, Kelly Craft.

Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë një draft-rezolutë të rishikuar që synon të vazhdojë pafundësisht embargon e Kombeve të Bashkuara për armë kundër Iranit.

Ky veprim i Shteteve të Bashkuara synon të krijojë më shumë përkrahje në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë.

Mirëpo ky dokument nuk duket se do të arrijë të tejkalojë veton e anëtarëve të përhershëm të Këshillit si, Rusia dhe Kina.

Ambasadorja amerikane, Kelly Craft ka thënë se drafti i ri “ka marrë parasysh qëndrimet e Këshillit dhe kërkon të bëhet atë që të gjithë e dinë – të vazhdojë embargoja për armët, për ta parandaluar Iranin që të blejë dhe shesë lirshëm armë”.

“Është e natyshme që shtetit të parë në botë për terrorizëm të mos i japim mundësi për dëme edhe më të madha në botë”, ka thënë Craft përmes një deklarate.

Embargoja për armët pritet të skadojë në tetor të këtij viti, bazuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Gjermaninë, Britaninë dhe Francën.

Kjo marrëveshje parasheh lirim nga sanksionet në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor nga ana e Teheranit.

Rezoluta paraprake amerikane ka qenë shumë e dendur dhe është përshkruar nga diplomatët si “maksimaliste”.

Ndërkohë, presidenti Iranian, Hassan Rouhani ka thënë se shpreson shumë që do të dështojnë përpjekjet e SHBA-së për të vazhduar embargon duke paralajmëruar pasoja nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbështet atë.

XS
SM
MD
LG