Ndërlidhjet

Rriten rastet me koronavirus tek të rinjtë, Italia mbyll klubet e natës


Romë, foto ilustruese

Nga e hëna, Italia do të mbyllë klubet e natës dhe do ta bëjë të detyrueshme bartjen e maskave gjatë natës në disa zona të vendeve të hapura, raporton Reuters.

Kjo është rivendosja e parë e kufizimeve, pas rritjes së rasteve me koronavirus në gjithë vendin, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Fotografitë e turmave të pushuesve të rinj që vallëzojnë dhe pinë natën, ishin në faqet e para të gazetave italiane, raporton AFP.

Rastet e reja gjatë javës së kaluar në Itali, vendi i parë evropian që u godit rëndë nga koronavirusi, ishin më shumë se dyfish nga ato të regjistruara tre javë më parë dhe mosha mesatare e personave që u infektuan ka rënë nën 40, sipas të dhënave.

Rregullat e reja do fillojnë të hënën - dy ditë pas një feste italiane, ku shumë të rinj italianë dalin jashtë për të festuar, - dhe do të zgjasin deri në fillim të shtatorit.

Bartja e maskës do të kërkohet nga ora 6:00 deri në 18:00 në zonat afër bareve ku ka më së shumti tubime.

Sipas agjencisë së lajmeve dpa, të gjitha klubet, përfshirë ngjarjet në vendet e hapura dhe klubet e plazhit, do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 shtator.

Ekspertët dhe politikanët kishin paralajmëruar se rihapja e shkollave mund të rrezikohet nga rritja e numrit. Shkollat pritet të rifillojnë më 14 shtator pas pushimit të verës.

"Ne nuk mund të dëmtojmë sakrificat e bëra në muajt e kaluar. Prioriteti ynë duhet të jetë ai i hapjes së shkollave në shtator, me siguri të plotë," tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza në Facebook.

Speranza të shtunën u bëri thirrje të rinjve që të jenë sa më të kujdesshëm, pasi "nëse infektojnë prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata rrezikojnë të krijojnë një dëm të vërtetë".

Qeveria kishte mbajtur klubet e hapura pavarësisht kritikave të mëdha se ata tërhoqën turma, se distancimi shoqëror nuk po respektohej dhe maskat nuk po barteshin.

Kjo industri ka të ardhura vjetore prej 4 miliardë eurosh, sipas grupit të lobit të këtij sektori Silb, që i bëri thirrje qeverisë për mbështetje.

Ministri i Industrisë, Stefano Patuanelli, pranoi se do të ketë dëme ekonomike, por ai shtoi se nuk ka ndonjë alternativë.

Të dielën, 479 raste të reja u konfirmuan, kurse te shtunën 629.

Që nga shpërthimi i koronavirusit më 21 shkurt, Italia ka regjistruar më shumë se 35,000 vdekje.

XS
SM
MD
LG