Ndërlidhjet

Demokratët u kërkojnë votuesve ta refuzojnë Trumpin 


Konventa e Demokratëve, 17 gusht 2020
Konventa e Demokratëve, 17 gusht 2020

Demokratët amerikanë kanë hapur Konventën Kombëtare me fjalimet e ish-Zonjës së Parë, Michelle Obama, ish-kandidatit presidencial, Bernie Sanders dhe disa figurave të larta të Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje votuesve që ta refuzojnë presidentin aktual, Donald Trump dhe “politikën e tij për ndasi”.

Fjalimet e së hënës mbrëma, njëherësh ditës së parë të Konventës, janë mbajtur në versionin online, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Obama ka thënë se Trump ka treguar që është “presidenti i gabuar për vendin tonë”.

Në deklaratat e saj të incizuara paraprakisht, ajo e ka portretizuar Trumpin si njeri pa kompetencë, karakter dhe dinjitet për punën.

Michelle Obama gjatë fjalimit në Konventën e Demokratëve, 17 gusht
Michelle Obama gjatë fjalimit në Konventën e Demokratëve, 17 gusht

“Sa herë që drejtojmë sytë tani nga Shtëpia e Bardhë për të parë udhëheqësi, ngushëllim apo qëndrueshmëri, ajo çfarë shohim është kaos, ndasi dhe mungesë totale të empatisë”.

Senatori Bernie Sanders, që ka qenë një prej demokratëve që ka sfiduar Bidenin në garën për të fituar nominimin e demokratëve, ka thënë se Trump “është duke na çuar drejt rrugës së autoritarizmit”.

Ai ka thënë se e ardhmja e demokracisë në SHBA është në rrezik dhe se fitorja e Joe Bidenit është nevojë absolute për ta shpëtuar atë.

“Miqtë e mi, çmimi i dështimit është shumë i madh për ta imagjinuar”, ka thënë Sanders.

Video: Si zgjidhet një president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ish-nënpresidenti amerikan, që do të nominohet në fund të javës edhe zyrtarisht në garën për president nga radhët e demokratëve, nuk ka folur përgjatë programit të Konventës, mirëpo më vonë ka komentuar ceremoninë në rrjetin social, Twitter.

“Sonte kemi parë që amerikanët janë të gatshëm për t’u bashkuar dhe se njerëzit mund të tekalojnë këto kriza dhe të bëhen më të fuqishëm se kurrë”, ka thënë ai.

Një tjetër moment i veçantë i Konventës ka qenë edhe minuti i heshtjes së kërkuar nga Philonise dhe Rodney Floyd për të nderuar vëllain e tyre, George Floyd, i cili ka vdekur derisa ka qenë në mbajtje policore.

Vdekja e tij muaj më parë ka rritur thirrjet për drejtësi racore në SHBA.

“George do të duhej të ishte gjallë sot”, ka thënë Philonise Floyd.

Trump në anën tjetër ka udhëtuar të hënën në Viskonsin për të mbajtur një fjalim të kuadër të fushatës për rizgjedhje.

Ai e ka përshkruar organizimin e demokratëve “si të përgjumur” edhe para se të niste.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foto nga arkivi
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foto nga arkivi

Duke folur para mbështetësve të tij në Oshkosh, ai ka akuzuar Bidenin dhe kandidaten demokrate për nën-presidente, Kamala Harris se po çojnë përpara “politika të çmendura socialiste” dhe ka paralajmëruar se zgjedhjet e vitit 2020 do të jenë “më të rrezikshmet ndonjëherë”.

“Gjëja e vetme që mund të ndikojë në humbje të zgjedhjeve është nëse ka ndërhyrje në to”, ka thënë Trump.

Përmes një morie fjalimesh të pazakonshme, katër republikanë të mirënjohur kanë përkrahur Bidenin në natën e parë të Konventës.

Christine Todd Whitman, ish-guvernatore republikane e Nju Xhersit, John Kasich, kandidate presidenciale më 2016 dhe ish-guvernator i Ohajos, Susan Molinari, ish-anëtare e Kongresit dhe Meg Whitman, grua që merret me biznes, e cila pati garuar në pozitën për guvernatore të Kalifornisë.

Senatorja 55-vjeçare, Kamala Harris pritet të hyjë në histori si gruaja e parë aziatiko-amerikane që garon për pozitën e nën-presidentes.

Nominimi i saj zyrtarisht do të bëhet më 19 gusht, ndërsa i Bidenit një ditë më vonë.

Republikanët në anën tjetër do të organizojnë konventën e tyre më 24-27 gusht për të nominuar Trumpin për mandatin e dytë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG