Ndërlidhjet

Haradinaj-Stublla: Kosova do të mund ta dërgojë një përfaqësues në DASH


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar të enjten se Kosova për herë të parë do të mund ta dërgojë një përfaqësues të ministrisë që ajo drejton në Departamentin amerikan të Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ajo ka thënë se kjo gjë i është konfimuar gjatë një takimi që ka pasur me zëvendës-ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.

“Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare e diplomatike, mbetet përkushtim i përbashkët yni”, ka thënë ajo në njoftim.

Ajo ka thënë se pjesë e takimit ka qenë edhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Selimi Selimi, në të cilin është biseduar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se zyrtarët kosovarë i kanë përmendur Palmerit se vetëm nën udhëheqësinë amerikane dialogu do të mund të përmbyllet me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues.

Zyrtarë mes Kosovës dhe Serbisë do të takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësim të të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun mes këtyre dy shteteve, Richard Grenell.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të enjten në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Mirëpo presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar ndërkohë, duke thënë se në Uashington do të diskutohet vetëm për temat e përcaktuara më herët dhe se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Brukseli ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.

Kjo masë ka qenë e papranueshme për autoritetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut.

XS
SM
MD
LG