Ndërlidhjet

Bërnabiq shpreson në mirëkuptimin e Bjellorusisë për përfshirjen në deklaratën e BE-së


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar se Beogradi i është bashkuar Deklaratës së Bashkimit Evropian (BE) mbi Bjellorusinë në fillim të kësaj jave.

Sipas saj, kjo është bërë në kuadër të "sinkronizimit me politikën e jashtme të BE", duke shtuar se shpresonte që presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, "nuk do të ia sheh për të madhe Serbisë për këtë".

Një ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi dhe ai i Shteteve të Bashkuara, Anthony Godfrey, mirëpritën përfshirjen e Serbisë në deklaratën evropiane mbi zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi.

Më 11 gusht, BE-ja miratoi një Deklaratë për zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, në të cilën thuhej se qytetarët e Bjellorusisë "treguan një dëshirë për ndryshim demokratik" gjatë fushatës zgjedhore, por që "zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të drejta".

Kryeministrja serbe vlerësoi se Serbia ka marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të mirë me Bjellorusinë, dhe se, përkundër përfshirjes në atë deklaratë, Serbia nuk duhet të harrojë "aktet e miqësisë ndaj Serbisë, veçanërisht në momentet më të vështira".

Ajo theksoi se nuk do të harrohet që Lukashenka është "i vetmi udhëheqës shteti në botë që vizitoi Serbinë gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999".

Vala e zemërimit në Bjellorusi është ngjallur qëkur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind.

Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, thotë se nëse votat do të numëroheshin siç duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

XS
SM
MD
LG