Ndërlidhjet

Në vendbanimet me shumicë serbe viti shkollor fillon më 1 shtator


Foto ilustrim.

Në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, mësimi në shkolla do të fillojë më 1 shtator, në përputhje me planin dhe programin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, por në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës për të shtyrë deri më 14 shtator fillimin e vitit shkollor.

Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë, Jasmina Dediq, drejtuese e Administratës së Shkollave në Kosovë, e cila funksionon në kuadër të sistemit serb.

"Ende nuk e dimë nëse do të zhvillohet në internet apo nëse klasat do të kombinohen, kjo varet nga situata epidemiologjike", tha Dediq.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Xhavit Rexhaj tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shtyrë fillimin e vitit shkollor vlen për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe të gjitha institucionet arsimore.

Institucionet arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në Kosovë, në periudhën e kaluar, për shkak të epidemisë së koronavirusit, ishin detyruar të harmonizonin punën e tyre me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, Qeveria e Kosovës vendosi masa të ashpra për të parandaluar përhapjen e pandemisë, kështu që më 12 mars, të gjitha institucionet arsimore u mbyllën. Sidoqoftë, disa shkolla në gjuhën serbe nuk pranuan ta zbatojnë këtë vendim, duke argumentuar se ato respektojnë vendimet e qeverisë serbe.

Në të njëjtën ditë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pati njoftuar se procesi mësimor në shkollat e vendbanimeve serbe në Kosovë do të ndërpriten më 16 mars.

Pastaj, viti shkollor 2019/2020 u përmbyll përmes mësimit në distancë.

XS
SM
MD
LG