Ndërlidhjet

Vendet evropiane do të strehojnë të mitur pas zjarrit në Greqi


Lesbos, Greqi
Lesbos, Greqi

Autoritetet gjermane thanë se dhjetë vende të Evropës kanë rënë dakord që të marrin 400 fëmijë të pashoqëruar, të cilët kanë ikur nga një kamp migrantësh në Greqi, i cili është përfshirë këtë javë nga flakët.

Në një konferencë për media të premten, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha se shumica e tyre do të shkojnë në Gjermani dhe Francë.

Afro 13,000 njerëz kanë mbetur pa strehë prejse është djegur kampi Moria, të mërkurën, në ishillin Lesbos.

Familjet flenë në fusha dhe rrugë, derisa autoritetet përpiqen t’iu gjejnë strehim.

Pranë rrënojave të Morias, banorët lokalë kanë bllokuar rrugët, duke i penguar organizatat bamirëse nga shpërndarja e ndihmave.

Banorët po ashtu thonë se janë kundër ndërtimit të çadrave të reja.

Pasi vizitoi Morian, nënpresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, tha se kampi i shkatërruar do të zëvendësohet me një objekt modern, në të njëjtin lokacion.

Ministri gjerman, Seehofer, tha se Franca dhe Gjermania do të pranojnë nga 100-150 fëmijë.

Holanda tashmë është pajtuar për strehimin e 50 fëmijëve, ndërsa Finlanda për 11 të tjerë.

Vendet e tjera që do të strehojnë fëmijë, përfshijnë: Zvicrën, Belgjikën, Kroacinë, Slloveninë, Luksemburgun dhe Portugalinë.

Bisedimet për pjesëmarrjen e shteteve të tjera janë në zhvillim e sipër, tha Seehofer.

XS
SM
MD
LG