Ndërlidhjet

SHBA mirëpret synimin e Serbisë që ta shpallë Hezbollahun organizatë terroriste


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur njoftimin e Serbisë se synon ta shpallë Hezbollahun organizatë terroriste.

“Ky është një hap i rëndësishëm që kufizon aftësitë e këtij grupi terrorist, që ka mbështetjen e Iranit, që të operojë në Evropë”, tha përmes një deklarate për media, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Synimi që Serbia ta shpallë organizatë terroriste Hezbollahun, është pjesë e marrëveshjes për normalizim ekonomik, që Serbia dhe Kosova nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Të dy shtetet janë pajtuar që këtë organizatë e militantëve shiitë të Libanit, që ka mbështetjen e Iranit, ta shpallin terroriste.

Kosova, më 23 qershor, 2020 e shpalli Hezbollahun organizatë terroriste.

“Nuk ka asnjë dyshim se operacionet e Hezbollahut në Evropë po rrëzohen si domino, aty ku ka vazhduar që të planifikojë sulme terroriste, të sigurojë teknologji ushtarake dhe të mbledhë fonde shumë të nevojshme. Veprimet e fundit nga Gjermania dhe Lituania ndaj Hezbollahut u pasuan nga veprimet që ndërmorën vitin e kaluar Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova”, thotë sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo tha e SHBA-ja vazhdon të ju bëjë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian që ta shpallin Hezbollahun si organizatë terroriste, në mënyrë, që siç tha, të parandalojnë aktivitetin e kësaj organizate në territoret e tyre.

“Ne iu bëjmë thirrje shteteve në Evropë dhe gjetkë që të ndërmarrin të gjitha veprimet që mund të ndalojnë operativët, rekrutuesit dhe financuesit e Hezbollahut që të operojnë në territoret e tyre”, deklaroi Pompeo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një postimi në Twitter, e siguroi sekretarin Pompeo, se shteti i tij do të vazhdojë përkushtimin për të sjellë “paqe dhe stabilitet” dhe për të kontribuar në sigurinë botërore.

Hezbollahu, si tërësi, konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Arabia Saudite dhe disa vende tjera të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG