Ndërlidhjet

Thaçi i ndan ‘Urdhrin e Lirisë’ presidentit Trump


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “Urdhrin e Lirisë”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e SHBA-së për lirinë e Kosovës, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një letër që i ka dërguar presidentit Trump, Thaçi e ka falënderuar liderin amerikan për arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike”, ka shkruar Thaçi në letrën drejtuar Trumpit.

Thaçi e ka siguruar presidentin Trump se Kosova është e përgatitur që të kontribuojë për paqe dhe siguri në botë.

Thaçi ka thënë se arritja e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë, mund të ndodhë vetëm nën udhëheqjen e SHBA-së.

“Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është më e qartë se kurrë, që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj”, është shprehur Thaçi.

Po ashtu, presidenti Thaçi ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave për këshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien dhe për të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, për “meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington”.

Presidenti Thaçi e ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën.

Vetë Trump, pas arritjes së marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, paralajmëroi se do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në një të ardhme të afërt.

“Urdhri i Lirisë” është urdhri më i lartë shtetëror që ndahet për qytetarët e Kosovës dhe ata të huaj, për të vlerësuar kontributin e tyre të lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG