Ndërlidhjet

Haradinaj kërkon që ‘dosjet e Speciales’ t’i dorëzohen Prokurorisë 


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur spektakël dashakeq çështjen e mbi 4 mijë dosjeve të Gjykatës Speciale, që iu dorëzuan në mënyrë anonime Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Përmbajtja e këtyre dokumentave të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Identiteti i personit, i cili më 7 dhe 16 shtator ka dërguar në këtë organizatë "me mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh", vazhdon të jetë anonim.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka nisur hetimet për “rrjedhjen” e dokumenteve të pretenduara konfidenciale.

Ish-kryeministri Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo situatë ‘po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë’.

Sipas tij, zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.

“Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet mënjëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë. Kosova si viktimë përballë agresorit, UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë”, ka shkruar Haradinaj.

Veteranët thanë se në këto dokumente janë emrat dhe adresat e dëshmitarëve dhe personave të tjerë më të cilët kanë bashkëpunuar hetuesit e Gjykatës Speciale.

Ambasadorët e vendeve të Kuintit të premtën kanë përgëzuar Zyrën e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës, për siç, është thënë, “respektimin e autoritetit të Zyrës së Prokurorit të Dhomave të Specializuara për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme, njëkohësisht duke ofruar ndihmën e saj sipas nevojës”.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konfirmoi se në prani të avokatit Tomë Gashi, u ka dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale ‘dosjet që kanë mbetur’ në zyret e kësaj organizate.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.

XS
SM
MD
LG