Ndërlidhjet

Vetëvendosje thotë se Serbia forcohet me marrëveshjet infrastrukturore  


Marrëveshja ekonomike e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator 2020

Lëvizja Vetëvendosje, tha të dielën se Kosova nuk po sillet si shtet karshi marrëveshjes me Serbinë të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Drejtues të partisë më të madhe opozitare në Kosovë, theksojnë se ‘marrëveshja për stabilizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, është negociuar në kurriz të Kosovës’.

Në një konferencë për media, anëtari i kësaj partie, Avni Zogiani, ka thënë se me pikën për autostradën, hekurudhën dhe linjën ajrore që lidhë Kosovën dhe Serbinë si dhe pikat e tjera, Kosova po vazhdon të “sillet si autoritet joshtetëror”.

Sipas tij, marrëveshjet infrastrukturore vetëm e kanë forcuar Serbinë.

“Kur flitet për hekurudha, autostrada, në këto marrëveshje nuk gjenden referenca për pikat kalimtare si pika kufitare. Vazhdojmë të pranojmë një proces që thellon sjelljen e Kosovës si autoritet joshtetëror. Marrëveshjet infrastrukturore forcojnë jashtëzakonisht rolin e Serbisë në rrjetin ndërkombëtar të transportit. Serbia do jetë vendi ku do kalojnë dy korridore”, ka thënë Zogiani.

“Qeveria Hoti këto projekte i ka reduktuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, do të thotë se zhvillimi i Kosovës detyrohet nëpërmjet Serbisë. Gjithçka për zhvillimet infrastrukturore shihet përmes prizmit të Serbisë”, ka shtuar ai.

Marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, për siç është thënë, normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parasheh zbatimin e një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Në praninë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar, veç e veç, dokumente për normalizim ekonomik prej 16 pikash, të cilat janë konsideruar si marrëveshje apo zotime të njëanshme.

XS
SM
MD
LG