Ndërlidhjet

“Të punësuar të fundit, të përjashtuar të parët”, praktika që dëmton gratë pilote


Megyn Thompson.

Kur Megyn Thompson kishte nisur punën e saj të ëndrrave si pilote e fluturimeve komerciale, ajo ka qenë një prej mijëra grave që është rekrutuar në gjithë botën për të rritur numrin e grave në këtë pozitë.

Mirëpo fushata për punësimin e më shumë grave si pilote tani është në rrezik – duke u dhënë goditje përpjekjeve për të stabilizuar sektorin e dominuar nga meshkujt – meqë kriza me koronavirusin e ri është duke transformuar kompanitë e aviacionit.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, dy linjat kryesore të fluturimeve pritet t’i lirojnë nga puna më shumë se 3,000 pilotë, sapo të mbarojë ndihma qeveritare këtë muaj, duke u krijuar sërish dallim i madh në mes të burrave dhe grave të punësuara në to.

Sipas marrëveshjeve të arritura në mes të kompanive ajrore dhe sindikatave, pilotët fillestarë humbin vendet e punës përpara atyre që janë punësuar për kohë më të gjatë, pa marrë parasysh gjininë, racën apo moshën.

Këto marrëveshje “Të punësuar të fundit, të përjashtuar të parët”, që zbatohen në disa kompani ajrore perëndimore, nënkuptojnë se ata që punësohen të fundit, largohen të parët nga kompanitë.

Në mesin e të punësuarve së fundmi janë më shumë gra, në krahasim me të kaluarën, ka thënë grupi Shoqëria Ndërkombëtare e Grave Pilote.

Thompson, që drejton një aeroplan të një kompanie rajonale, të menaxhuar nga American Airlines, është në mesin e 600 grave pilote në Shtetet e Bashkuara, që do të lirohet nga puna më 1 tetor, përveç nëse qeveria ndan fonde shtesë, apo arrihet marrëveshje e minutës së fundit nga sindikatat.

Thompson, 32-vjeçare, ka thënë se pozita e saj e “vendos atë” në qendër të masave të kompanisë PSA, për lirim nga puna.

Kjo kompani pritet të përjashtojë nga puna 35 për qind të pilotëve të punësuar aktualisht.

“Nëse kthehemi mbrapa 40 vjet më parë, ka ekzistuar botë burrash, prandaj nuk kemi shumë gra që mbrohen nga ky vendim i lirimit nga puna”, ka thënë Thompson, e cila ka vendosur që të mos ketë fëmijë biologjikë pasi i është dashur të kryejë shumë orë të fluturimit para se merrte licencën.

“Kompania PSA nuk po e largon Megyn (mua) sepse nuk e pëlqen. Zero për qind ka të bëjë me atë dhe 100 për qind me faktin që nëse jeni punësuar i fundit, largoheni i pari”.

Tani nëna e tre fëmijëve të adoptuar është duke aplikuar për punë në kompanitë, Amazon, Kellogg dhe PepsiCo.

Fushata në pauzë

Para krizës, sektori i udhëtimeve ajrore përjetonte rritje rekorde prej 5 për qind në vit, duke krijuar nevojë për 804,000 pilotë përgjatë 20 vjetëve të fundit, bazuar në dhënat e kompanisë Beoing Co. Nevoja për më shumë pilotë e ka vënë në krye të agjendës rekrutimin e më shumë grave në këto pozita.

Mirëpo industria e dëmtuar rëndë nga koronavirusi, nuk pritet të rikthejë nivelet e trafikut të 2019-ës, deri para vitit 2024.

“Këtë vit ne patëm synuar nisjen e një fushate të madhe, të cilën tani e kemi pauzuar për shkak të asaj që ka ndodhur”, ka thënë pilotja australiane, Davida Forshaw, që drejton departamentin e edukimit në grupin Shoqëria Ndërkombëtare e Grave Pilote.

Pavarësisht fushatës për rekrutim të grave, vetëm 5.3 për qind e totalit të pilotëve kanë qenë gra para krizës me koronavirus, kanë treguar të dhënat e këtij grupi.

Kjo përqindje pritet të bie sërish, teksa linjat ajrore lirojnë njerëz nga puna, parashikon Shoqëria Ndërkombëtare e Grave Pilote..

Në dy linja ajrore, American dhe Delta, gratë përbëjnë rreth 5.2 për qind të popullsisë së kombinuar të rreth 27,800 pilotëve, dhe 6.7 për qind e 3,645 pilotëve, të cilët këto linja ajrore pritet t’i lirojnë nga puna, bazuar në të dhënat e ofruara nga dy sindikata të pilotëve.

American Airlines ka refuzuar që të përgjigjet për këtë çështje, mirëpo një zëdhënës ka thënë se të dhënat e sindikatave kanë treguar se proporcioni i grave pilote që do t’i shmangeshin lirimit nga puna do të bie nga 5.1 për qind në 4.9 për qind.

Delta ka thënë se është duke diskutuar me sindikatat për largim të pilotëve mirëpo nuk ka bërë të ditura detajet për gjini.

Kthim mbrapa në industri

Kjo tronditje është potencialisht dëmtuese për një industri që veçse është duke pasur vështirësi në përmirësimin e të dhënave për diversitet, me një fraksion edhe më të vogël të grave që kanë pozita të larta menaxhuese.

Rritja e numrit të piloteve të punësuara është kthyer në çështje kyçe, pasi industria është kritikuar vitin e kaluar nga ana e ekzekutivit të linjave ajrore për premtime të papërmbushura, kur është puna për diversitet.

Ndryshimet kanë ndikuar edhe në ndryshime shoqërore në shtetet si India, vend që ka më shumti gra pilote në botë, që drejtojnë fluturime komerciale, apo 12 për qind, ndonëse shoqëria e këtij shteti thuhet se ngrit vetullat kur gratë përmenden në këtë profesion.

Përveç lirimit nga puna të grave pilote, shumë të tjera kanë vendosur të pensionohen para kohës, apo kanë humbur vendet e punës si pasojë e situatës së krijuar.

Pilotja e parë grua e një fluturimi komercial, kapitenia australiane, Deborah Lawrie, e cila ka thyer të gjitha barrierat më 1980, ka qenë një prej 220 piloteve që kanë hequr dorë nga ky profesion në muajin prill, kur kompania Tigerair Australia është mbyllur.

Sipas Shoqërisë Ndërkombëtare të Grave Pilote, vetëm një çerek i grave pilote janë kapitene.

Tammie Jo Shults, e cila është konsideruar heroinë pasi ka përfunduar me sukses një fluturim me shumë turbulenca më 2018, është në mesin e grave kapitene që i janë nënshtruar pensionimit të parakohshëm.

Nevoja për të balancuar familjen dhe punën, në një profesion me mungesa të shpeshta nga shtëpia, tashmë është kthyer në sfidë për gratë që të merren me këtë punë.

Shults ka thënë se paqartësi të reja vetëm do t’i shtohen këtij profesioni, sepse sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, do t’i vështirësojë gjërat.

Megjithatë, Shults, që ka shërbyer si një prej grave të para si pilote ushtarake në marinën amerikane, u ka bërë thirrje grave që të konsiderojnë alternativa si pilote zjarrfikëse, përpara se të heqin dorë nga ky profesion.

“Ju nuk mund ta ndiqni gjithmonë pasionin, por mos e lini mbrapa atë”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG