Ndërlidhjet

Subjektet ekonomike u kërkojnë deputetëve të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID -19


Ilustrim.

Subjektet ekonomike në Kosovë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19. Ky projektligj është pjesë e rendit të ditës, në seancën e së premtes në kuvend.

Në një komunikatë të përbashkët Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) u kanë kërkuar deputetëve që të arrijnë konsensues për legjislacionin për rimëkëmbje.

“Veprimi i shpejtë, i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID19, si dhe përmbajtja e thellimit të vështirësive ekonomiko-sociale, në një kohë kur vendet e tjera janë shumë para Republikës së Kosovës në aspekt të ndërhyrjes shtetërore me qëllim të drejtimit dhe zbatimit të programeve të rimëkëmbjes ekonomike. Në të kundërtën, situata ekonomike dhe sociale do të vijojë të bëhet edhe më e rëndë” është thënë në komunikatën e këtyre dy institucioneve.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), u ka kërkuar deputetëve të reagojnë më shpejt, dhe mos të neglizhojnë kërkesat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat.

Sipas kësaj Ode, Kosova ka mbetur shteti i fundit për krijimin e një alternative për mbrojtjen e ekonomisë pas pandemisë.

“OAK shprehet tejet e shqetësuar për mosshqyrtimin e kërkesave të biznesit dhe mosvotimin ende të këtij Projektligji. Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e parashtruara të bizneseve në këtë projektligj, atëherë bizneset e Kosovës do ta kenë të pamundur të funksionojnë, gjë e cila do të rezultojë me mbylljen e tyre e largimin e së paku 50.000 deri në 100.000 punëtorëve” ka thënë kjo Odë përmes një komunikate.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka dështuar dy herë të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19.

Ky projektligj, që më 22 korrik është miratuar në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën e rreth 385 milionë eurove.

Projektligji synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, t'iu ndihmojë bizneseve pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

XS
SM
MD
LG