Ndërlidhjet

Presidenti afgan udhëton në Katar ku po mbahen bisedimet e paqes për Afganistanin


Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani do të vizitojë Katarin për një takim dypalësh me udhëheqësit e shtetit të Gjirit, por, sipas zyrtarëve, ai nuk do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e talibanëve edhe pse bisedimet e paqes janë duke u zhvilluar në kryeqytetin Doha.

Negociatat midis qeverisë afgane dhe talibanëve që filluan muajin e kaluar, kanë për qëllim që palët ndërluftuese, të bien dakord, për një zvogëlim të dhunës dhe një marrëveshje të re të mundshme të ndarjes së pushtetit në Afganistan.

Deri më tani nuk ka pasur përparim pasi të dyja palët kanë mospajtime për procesin dhe procedurat e negociatave, sipas burimeve diplomatike.

Bisedimet brenda-afgane janë pjesë e një marrëveshjeje historike të nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve të nënshkruar në muajin shkurt.

Sipas marrëveshjes, forcat e huaja do të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021 në këmbim të garancive kundër terrorizmit nga talibanët, të cilët ranë dakord të negociojnë një armëpushim të përhershëm dhe një formulë të ndarjes së pushtetit me qeverinë afgane.

Megjithatë, nivelet e dhunës nuk janë ulur edhe pasi negociatorët afganë janë angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta.

Shumë ushtarë afganë dhe luftëtarë talibanë janë vrarë në përleshje dhe sulme vetëvrasëse kanë lënë dhjetëra civilë të vdekur javët e fundit në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.

Ghani dhe ekipi i tij do të ndalen së pari në Kuvajt për të marrë pjesë në varrimin e Emirit të ndjerë të Kuvajtit, para se të udhëtojnë në Katar më vonë më 5 tetor.

XS
SM
MD
LG