Ndërlidhjet

Njëzetegjashtë shtete kërkojnë heqjen e sanksioneve për t'u përballur më lehtë me pandeminë


Ilustrim.
Ilustrim.

Njëzetegjashtë shtete kanë bërë thirrje për heqje të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera perëndimore, ashtu që vendet e shënjestruara të përballen më lehtë me pandeminë e koronavirusit.

Kina ka drejtuar thirrjet për heqje të sanksioneve gjatë një takimi në Komitetin për të Drejta të Njeriut, që funksionon në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun, ka thënë se sanksionet shkelin kartën e OKB-së dhe dëmtojnë të drejtat e njeriut duke vështirësuar “mirëqenien e popullsisë në vendet e prekura”, bashkë me dëmtim të të drejtave për shëndet.

“Solidariteti global dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë armët më të fuqishme në luftimin dhe tejkalimin e COVID-19”, kanë thënë këto 26 shtete përmes një deklarate, duke iu referuar sëmundjes së shkakton koronavirusi i ri.

Në mesin e vendeve që kanë përkrahur dekaratën kanë qenë Irani, Rusia, Siria dhe vende tjera që përballen me sanksione të SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera perëndimore.

Ndaras këtyre thirrjeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar ndihmën e re urgjente, me qëllim që t’iu ofrohet ndihmë vendeve të varfra për të paguar borxhet dhe për t’u përballur me ndikimin e pandemisë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën deri më tani janë infektuar 35 milionë persona me këtë virus.

Prej tyre, mbi 1 milion pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG