Ndërlidhjet

Pompeo kritikon “aktivitetin e dëmshëm” të Kinës, teksa takon aleatët aziatikë


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar të martën për “aktivitetin e dëmshëm të Pekinit në rajon”, teksa është takuar me aleatët kyçë të Azi-Paqësorit në Tokio, duke prezentuar kështu një front të bashkuar kundër fuqisë në rritje të Kinës.

Diplomati i lartë amerikan po takohet të martën me homologun e tij japonez, atë australian dhe indian, gjatë një takimi që është shtyrë pasi presidenti amerikan, Donald Trump dhe një pjesë e stafit të tij janë infektuar me koronavirus.

Takimi i tij i parë është realizuar me ministren e Jashtme të Australisë, Marise Payne, në të cilën ata kanë diskutuar “shqetësimet e përbashkëta sa i përket aktivitetit të dëmshëm të Republikës Popullore të Kinës në rajon”, ka thënë një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.

Diskutimet në Tokio vijnë teksa Shtetet e Bashkuara, Australia dhe India kanë mospajtime me Pekinin – duke e lënë Japoninë në pozitë delikate, teksa qëndron afër aleatëve të saj, por në të njëjtën kohë tenton të përmirësojë lidhjet me Kinën.

Pompeo është zyrtari i parë i lartë amerikan që viziton Japoninë, prej kur kryeministri Yoshihide Suga ka marrë këtë pozitë muajin e kaluar, i cili ka thënë se beson që Tokio dhe Uashingtoni kanë qëndrime shumë të afërta.

Duke folur më vonë, Suga ka thënë se përhapja e koronavirusit ka treguar “saktë pse tani është koha që ne të rrisim koordinimin me sa më shumë shtete që mundemi, për një vizion të përbashkët dhe rritje të përpjekjeve për përmirësim të bashkëpunimit”.

Pompeo njihet si kritik i Kinës në çështjet si: siguria, të drejtat e njeriut, dhe pandemia me koronavirus.

Ai ka udhëhequr fushatën ndërkombëtare që edhe shtetet tjera të shmangin Kinën, përfshirë teknologjinë e saj.

XS
SM
MD
LG