Ndërlidhjet

Rekomandimet e Raportit të Progresit do të adresohen, thonë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do të adresojnë çështjet që janë përmendur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Raporti i është dorëzuar kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, nga ana e shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryeministri Hoti, ka vlerësuar se të gjitha të gjeturat e këtij raporti janë probleme me të cilat është duke u ballafaquar Kosova. Ai tha se rekomandimet e dhëna në këtë raport, do të adresohen.

“Ne tani në Qeveri i kemi vendosur strukturat e nevojshme në zyrën për integrime evropiane, brenda zyrës së kryeministrit. Do të ketë mbikqyrje të plotë të ministrive dhe agjencive që ndërlidhen me sfidat që janë paraparë në këtë raport”, tha Hoti.

Kryeministri shtoi se brenda disa ditëve do të përgatitet një plan veprimi, që do të miratohet në qeveri, për të adresuar rekomandimet e nxjerra dhe të dhënat në këtë raport.

Ndërkaq, kryeparlamentarja, Osmani ka bërë të ditur se secili komision parlamentar do ti qaset në mënyrë specifike rekomandimeve të raportit.

Në anën tjetër, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, foli për financimin e projekteve të cilat BE-ja do ti bëjë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Janë 9 miliardë euro, për shtatë vite, që do të fokusohen në projekte specifike dhe konkrete në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Sipas kryeministrit Hoti, ky financim do të përfshijë autostradën Prishtinë- Merdar, hekurudhën Prishtinë-Merdar, projektin e Ibër Lepencit, të fazës të dytë, gazpërçuesi që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, dhe një listë e gjatë e projekteve që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të ndotura.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që u miratua të martën pasdite në Bruksel thuhet se "Kosova ka pasur progres të kufizuar në reformat e lidhura me Bashkimin Evropian, kryesisht për shkak të situatës jostabile politike, me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe dy ndërrime të qeverisë, si dhe nevojës për përballje me pandeminë".

XS
SM
MD
LG