Ndërlidhjet

Lufta në Siri: Sulmi me bombë vret 19 civilë në një qytet të kontrolluar nga rebelët


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Të paktën 19 civilë janë vrarë në një sulm me makinë-bombë në një qytet verior sirian të kontrolluar nga rebelët e mbështetur nga Turqia, raporton BBC.

Tetëdhjetë persona të tjerë u plagosën kur automjeti shpërtheu pranë një stacioni autobusi në al-Bab, rreth 40 kilometra në veri-lindje të qytetit Alepo.

Ekipet e Shpëtimit nga Helmetat e Bardha thanë se ende janë në kërkim të të mbijetuarve në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.

Nuk dihet ende kush qëndron prapa këtij sulmi.

Sidoqoftë, ka pasur një numër sulmesh në al-Bab që kur u mposht grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe ky rajon u vendos nën kontrollin e rebelëve dhe trupave turke më 2017.

Në nëntorin e kaluar një sulm la 18 të vdekur. Autoritetet turke fajësuan militantët e Njësive të Mbrojtjes së Popullit Kurd të Sirisë (YPG).

Ankaraja thotë se kurdët në Siri, që i përkasin Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit kanë lidhje me militantët kurdë në Turqi të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që i konsideron organizatë terroriste.

Mirëpo SHBA-ja pretendon se YPG-ja, e cila i ka ndihmuar në mposhtjen e grupit militant, Shtetit Islamik në Siri, është subjekt i ndarë nga PPK-ja.

Dy zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara dënuan incidentin e ndodhur të martën (6 tetor).

Imran Riza, koordinator humanitar për Sirinë dhe Kevin Kennedy, koordinator rajonal humanitar për krizën në Siri, shprehën ngushëllimet e tyre të thella për familjet e viktimave dhe u kërkuan të gjitha palëve në konfliktin e Sirisë tu përmbahen detyrimeve të tyre për të garantuar sigurinë e civilëve.

XS
SM
MD
LG