Ndërlidhjet

BIK-u u kërkon autoriteteve të Kosovës të distancohen nga veprimi i ambasadorit Qëndrim Gashi


Ilustrim.
Ilustrim.

Kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë i ka kërkuar të hënën Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, që të distancohet nga veprimi i ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhamed.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mosdurimin, urrejtjen e mosbesimin ndërnjerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëjë me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”, është thënë në deklaratën për opinion të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Publikimi i karikaturës së Profetit Muhamed nga gazeta franceze ka ardhur pas vrasjes së një mësuesi francez nga një islamist i dyshuar.

Mësuesit të historisë, Samuel Paty, i është prerë koka më 16 tetor, jashtë shkollës së tij në periferi të Parisit verior, nga një 18-vjeçar, i cili më pas është qëlluar për vdekje nga policia.

Në fillim të këtij muaji, Paty u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një orë për lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër të prindërve myslimanë.

Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se dënon atë që e ka konsideruar akt kriminal kundër mësuesit francez derisa angazhohet që besimet të mos përdoren për urrejtje dhe mosdurim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.

Myslimanët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi.

XS
SM
MD
LG