Ndërlidhjet

Sulmet ruse vrasin dhjetëra rebelë të mbështetur nga Turqia në Siri


Lufta në Siri.
Lufta në Siri.

Një sulm ajror në një kamp trajnimi rebelësh në veriperëndim të Sirisë vrau më shumë se 50 luftëtarë të mbështetur nga Turqia dhe plagosi gati po aq, tha një zëdhënës i opozitës siriane dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Sulmi ajror në pjesën veriperëndimore të provincës Idlib, enklava e fundit rebele në Siri, shënjestroi një kamp ushtarak të një prej grupeve më të mëdha të opozitës të mbështetur nga Turqia në Siri, tha Youssef Hammoud, një zëdhënës i grupeve.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani të Madhe, i cili monitoron luftën në Siri, dha një numër më të lartë, në 78 luftëtarë të vdekur dhe gati 90 të plagosur. Organizata tha se gjithashtu dyshonte se sulmi ajror ishte kryer nga Rusia, e cila është një aleate e ngushtë e presidentit sirian Bashar Assad në luftën civile të vendit.

Grupet rebele siriane u zotuan të hakmerren.

Turqia dhe Rusia kishin ndërmjetësuar një armëpushim në Idlib, më herët gjatë këtij viti, për të ndaluar një ofensivë të qeverisë siriane që shkaktoi zhvendosjen e qindra mijëra personave.

Por, armëpushimi ka qenë i brishtë.

Turqia ka mbështetur prej kohësh forcat rebele siriane. Rusia ka negociuar me Ankaranë për të vendosur ekipet e vëzhgimit në enklavën rebele për të monitoruar armëpushimin.

Javën e kaluar, trupat turke evakuuan një nga bazat e tyre më të mëdha ushtarake në zonë, e cila ishte e rrethuar nga trupat e qeverisë siriane për muaj me radhë.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi kahun e luftës, duke lejuar forcat e presidentit, Bashar al-Assad, të rimarrin kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit dhe popullsisë së vendit.

Lufta brutale gati dhjetëvjeçare e Sirisë ka marrë më shumë se 400,000 jetë, ka zhvendosur mbi 6 milionë banorë brenda vendit dhe ka detyruar të paktën 5.5 milionë të tjerë të jetojnë si refugjatë, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG