Ndërlidhjet

Kryeministri i Pakistanit kërkon nga Facebook ta ndalojë përmbajtjen islamofobe


Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i shkroi letër shefit ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, duke i kërkuar ta ndalojë përmbajtjen islamofobe në rrjetin social.

Khan tha se “Islamofobia në rritje” inkurajon “urrejtjen, ekstremizmin dhe dhunën ... veçanërisht përmes përdorimit të mediave sociale”.

Letra vjen një ditë pasi Khan e akuzoi presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për “sulm ndaj Islamit”.

Facebook-u tashmë ka një politikë të heqjes së gjuhës së urrejtjes nga platformat e tij.

Ai e përkufizon gjuhën e urrejtjes si “një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njerëzve”, të bazuar në karakteristikat e mbrojtura, si: raca, etnia, origjina kombëtare dhe përkatësia fetare.

Në letrën që Khan e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ai iu referua vendimit të fundit nga Facebook-u për të ndaluar çdo përmbajtje që e mohon ose shtrembëron Holokaustin.

Khan bëri thirrje që politika e ngjashme të vendoset edhe për komentet kundër Islamit.

“Duke pasur parasysh abuzimin dhe poshtërimin e shfrenuar të myslimanëve në platformat e mediave sociale, unë do t'ju kërkoja të vendosni një ndalim për islamofobinë dhe urrejtjen kundër Islamit në Facebook, të ngjashëm me atë që keni vendosur për Holokaustin”, tha Khan.

“Mesazhet e urrejtjes duhet të ndalohen plotësisht”, theksoi ai.

Të dielën, Khan akuzoi presidentin francez për “sulm mbi Islamin”.

Ai i bëri komentet pasi Macron i bëri homazhe një mësuesi francez, i cili u vra me prerje koke, pasi i tregoi karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimi.

Macron tha se mësuesi “u vra sepse islamistët e duan të ardhmen tonë”, por Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat tona”.

Në një postim në Twitter, Khan u përgjigj: “Është për keqardhje që [Macron] ka zgjedhur të inkurajojë islamofobinë, duke sulmuar Islamin dhe jo terroristët që kryejnë dhunë”.

XS
SM
MD
LG