Ndërlidhjet

Mbi 900 të infektuar dhe pesë viktima në Maqedoninë e Veriut


Shkupi gjatë pandemisë.
Shkupi gjatë pandemisë.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 934 persona të infektuar me koronavirusin e ri, pesë viktima si dhe 454 të shëruar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, shifrat i referohen testimit të 2.748 mostrave në 24 orët e fundit.

Për dallim nga dy javët e fundit, numri i viktimave është më i ulët ndërsa i të infektuar ka arritur shifrën më të lartë që nga paraqitja e koronavirusit të ri në Maqedoninë e Veriut në muajin shkurt.

Sipas raportit të publikuar, numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 342 raste. Qytete tjera që kanë shënuar numër të lartë të të infektuarve janë: Velesi me 88 raste, Prilepi me 61 raste dhe Tetova me 58.

Shkupi gjithashtu është në krye të listës së personave të shëruar. Betejën me COVID-19 e kanë fituar 273 persona në Shkup, ndërsa numri tjetër i të shëruarve përfshinë 24 qytete tjera.

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë të diagnostikuar 30.488 persona, prej tyre 20.448 janë shëruar , 982 kanë vdekur ndërsa 9.058 persona janë aktiv.

Numri i personave të hospitalizuar në nivel të vendit ka arritur në afër 600, prej të cilëve rreth 150 janë të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, dhe atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore, kanë nisur me riorganizimin e reparteve tjera dhe shndërrimin e tyre në qendra COVID-19.

Maqedonia e Veriut të premten ka marrë një ndihmë prej 60 respiratorëve nga shtetet anëtare të NATO-së.

Ndërkohë, nga data 10 nëntor, shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të mund të udhëtojnë në Serbi pa pasur nevojë për test negativ PCR. Kjo u bë e dita nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq gjatë një video konferencë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe atë t Shqipërisë, Edi Rama.

XS
SM
MD
LG