Ndërlidhjet

Hoti kërkon që Bosnje e Hercegovina t'i heqë vizat për kosovarët


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi që Bosnje e Hercegovina t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës.

Hoti e parashtroi këtë kërkesë gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Hoti po ashtu shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis dy vendeve.

“Kryeministri Hoti e ka falënderuar z. Xhaferoviq për nismën e tij për njohjen e Republikës së Kosovës nga Bosnje e Hercegovina, ndërkohë që ka kërkuar vazhdimin e angazhimit të tij për heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim të realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit midis dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Presidenca tripalëshe e Bosnje e Hercegovinës, në muajin shtator, ka votuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kjo kërkesë ishte vendosur në rend dite me propozimin e anëtarit kroat të presidencës, Zhelko Komshiq, ndërsa ishte mbështetur edhe nga anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviq.

Por, për të marrë një vendim në këtë presidencë duhet konsensus nga të tre anëtarët. Anëtari serb, Millorad Dodik, ka votuar kundër.

Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është vendosur në rend dite para Presidencës tripalëshe të Bosnje e Hercegovinës sërish në muajin tetor, por kjo pikë më pas është tërhequr nga rendi i ditës, për shkak të mungesës së konsensusit.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e njëra-tjetrës.

XS
SM
MD
LG