Ndërlidhjet

Paqartësi rreth rezultatit zgjedhor në SHBA


Detroit election workers work on counting absentee ballots for the 2020 general election at TCF Center on November 4, 2020 in Detroit, Michigan.
Detroit election workers work on counting absentee ballots for the 2020 general election at TCF Center on November 4, 2020 in Detroit, Michigan.

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara vazhdon të mbetet i paqartë, por të dy kandidatët, presidenti aktual, Donald Trump dhe kandidati i demokratëve, Joe Biden, janë të bindur për fitore, pavarësisht se gjashtë shtete kyçe ende nuk kanë shpallur fituesin pasi po numërojnë miliona fletëvotime.

Rezultatet nga Pensilvania, Uiskonsin, Miҫigen dhe Xhorxhia janë ende duke u numëruar, përfshirë këtu miliona vota me postë dhe votat me kusht para ditës së zgjedhjeve.

Deri në orën 16:30, kandidati demokrat, Joe Biden, ka pasur epërsi në Arizonë, Miçigen, Nevada dhe Uiskonsin, ndërsa presidenti Donald Trump në Xhorxhia dhe Pensilvani.

Për më shumë informacione nga zgjedhjet në SHBA, klikoni në:

Ndërkohë, shteti federal amerikan Nevada, ku gara është shumë e ngushtë, pa dhënë asnjë arsye, ka bërë të ditur se do ta ndërpresë numërimin e votave për zgjedhjet presidenciale deri më 5 nëntor.

Biden ka deklaruar se beson që ‘është në rrugë’ për të fituar dhe u kërkoi amerikanëve që të jenë të durueshëm derisa ‘secila votë të numërohet’ pasi deri më tash asnjëri kandidat nuk ka arritur të fitojë 270 votat e nevojshme të kolegjit zgjedhor.

Biden: Nuk ka epilog, derisa secila votë të numërohet
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00

Një reflektim krejt ndryshe ishte nga presidenti Donald Trump. Ai edhe para zgjedhjeve, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ofruar dëshmi, sugjeronte se rritja e votimit me postë, për shkak te pandemisë së koronavirusit, do të ndikojë në rritje të mashtrimit, duke i karakterizuar zgjedhjet si ‘mashtrim të publikut amerikan’. Ai madje deklaroi se do ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Supreme.

‘Sinqerisht, ne i fituam këto zgjedhje’ tha Trump, duke iu drejtuar amerikanëve kur ende po numëroheshin votat. Më herët, në Twitter, ai akuzoi demokratët se po përpiqen që të ‘vjedhin’ zgjedhjet. Por, ky postim i tij, u shoqërua menjëherë me paralajmërimin nga Twitter se ‘disa ose një pjesë e këtij postimi mund të jetë ҫorientues për zgjedhjet, ose për procese tjera qytetare’.

Presidenti nuk ka autoritet ligjor që të shpallë fitoren në zgjedhje, rezultatet e të cilit përcaktohen nga zyrtarët e zgjedhjeve në secilin shtet. Fushata e Bidenit ka thënë se e ka të gatshëm ekipin ligjor për të i’u kundërpërgjigjur presidentit, duke i cilësuar komentet e tij si ‘fyese, të pashembullta dhe të pasakta’.

Votuesit në mënyrë masive morën pjesë në procesin zgjedhor gjatë gjithë ditës, në ato që po cilësohen si zgjedhje historike që u mbajtën normalisht, pavarësisht se u zhvilluan në sfondin e një pandemie dhe një kombi thellësisht të ndarë.

Më shumë se 100 milionë amerikanë morën pjesë në votimet e hershme, me postë apo edhe në qendrat e votimit, gjë e cila u mundësua nga shumë shtete për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kjo shifër paraqet rreth 73% të votuesve të përgjithshëm në zgjedhjet e vitit 2016.

Për shkak të numrit të madh të votave me postë, rezultati final mund të mos dihet edhe për disa ditë, dhe të dyja palët kanë thënë se janë të gatshme për përballje eventuale legale për rezultatin.

Përveç presidentit të ri, amerikanët janë gjithë sy e vesh për të kuptuar se kush ka fituar ulëset në Kongresin amerikan, përkatësisht Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.

Ndonëse demokratët duket se kanë ruajtur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ende nuk dihet nëse ata do të rrisin shumicën, siç kanë pritur disa.

Të dy trupat e Kongresit janë shumë të rëndësishëm për secilin president që fiton, në mënyrë që ta shtyjë përpara agjendën e vet.

Demokratët kanë nisur procesin zgjedhor me 47 ulëse në Senat për dallim nga 53 sa kanë pasur republikanët.

Parashikuesi i zgjedhjeve, FiveThirtyEight u ka dhënë demokratëve mundësi tre prej katër, që të fitojnë kontrollin e Senatit.

Pse ekziston Kolegji Elektoral?

Të 538 anëtarët e Kolegjit Elektoral në Shtetet e Bashkuara mblidhen në kryeqytetet e tyre respektive çdo katër vjet, pas mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu që të shpallin fituesin.

Një kandidat presidencial duhet të fitojë një shumicë absolute të votës së Kolegjit – apo 270 vota nga 538 – për të fituar.

Ky sistem është krijuar bashkë me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1787.

Krijuesit e shtetit amerikan e kanë konsideruar këtë sistem si kompromis në mes të të zgjedhurit të presidentit në mënyrë direkte dhe të zgjedhurit përmes anëtarëve të Kongresit – qasje që janë refuzuar dhe janë konsideruar jomjaftueshëm demokratike.

Që atëherë, qindra amendamente janë propozuar në Kongres, me qëllim të ndryshimit apo zhbërjes së Kolegjit Elektoral, mirëpo asnjëra nuk ka rezultuar me sukses.

Kush janë 538 personat që votojnë?

Shumica e këtyre personave janë zyrtarë të zgjedhur në rrafshin lokal, ose liderë partish, mirëpo emrat e tyre nuk shfaqen në fletëvotime, dhe identitetet e tyre kryesisht janë të panjohura për votuesit.

Secili shtet ka aq përfaqësues sa ka në Dhomën e Përfaqësuese dhe Senat, dy dhomat e Kongresit amerikan.

Numri i përfaqësuesve varet nga popullsia e një shteti.

Kalifornia, shembull, ka 55 përfaqësues, Teksasi 38, derisa Alaska, Delauere, Vermont dhe Uajoming kanë nga tre secila prej tyre.

Kushtetuta e lë në dorën e shteteve që të zgjedhin sesi do të votojnë përfaqësuesit.

Në secilin shtet, përveç Nebraskas dhe Maines, kandidati që fiton shumicën e votës popullore, në teori, fiton të gjitha votat e përfaqësuesve të një shteti.

Struktura e Kolegjit Elektoral

Përfaqësuesit do të mblidhen në shtetet e tyre më 14 dhjetor dhe do të votojnë për presidentin dhe nënpresidentin.

Pse kjo datë?

Ligji amerikan thotë se ata “takohen dhe votojnë në të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”.

Më 6 janar të vitit 2021, Kongresi do të certifikojë fituesin, i cili bën betimin më 20 janar.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj
XS
SM
MD
LG