Ndërlidhjet

Nisma: Jakup Krasniqi çdo herë i është përgjigjur drejtësisë


Policë të EULEX-it pranë shtëpisë së Jakup Krasniqit.

Partia Nisma Socialdemokrate ka reaguar lidhur me veprimet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, në një konferencë për media, tha se veprimet e së mërkurës në shtëpinë e Krasniqit, kanë qenë të panevojshme, pasi që ky i fundit, çdo herë i është përgjigjur drejtësisë.

“Ne vlerësojmë se, skenat që i kemi parë sot, kanë qenë të panevojshme dhe traumatike për familjen. Krasniqi çdoherë u është përgjigjur ftesave që kanë ardhur nga organet e drejtësisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, tha Sherifi.

Gjatë ditës, pjesëtarë të EULEX-it, kanë kryer një bastisje në shtëpinë e Jakup Krasniqi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më herët gjatë ditës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi..

“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG