Ndërlidhjet

Vdes kryenegociatori i palestinezëve në bisedimet e paqes me Izraelin


Saeb Erekat

Një nga figurat më të shquara të politikës palestineze, Saeb Erekat, ka vdekur pasi është infektuar me koronavirus, konfirmuan të martën zyrtarët.

Erekat, 65 vjeç, ka vdekur në Jerusalem, në Qendrën Mjekësore Hadassah, ku është shtruar muajin e kaluar.

Ai ka qenë me vite kryenegociatori i palestinezëve në bisedimet për paqe me Izraelin.

Duke e përshkruar si “vëlla” dhe “luftëtar”, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, shpalli tri ditë zie për Erekatin.

Erekat po ashtu ka qenë sekretar i përgjithshëm i lëvizjes kryesore palestineze të njohur si Organizata Çlirimtare e Palestinës, si dhe këshilltar i Abbasit.

Ai ka marrë pjesë në negocimin e Marrëveshjeve të Oslos, më 1993, me të cilat është krijuar Autoriteti Palestinez dhe palestinezëve u është dhënë vetëqeverisje e kufizuar në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, për herë të parë prejse Izraeli i ka pushtuar territoret, më 1967.

XS
SM
MD
LG