Ndërlidhjet

Maqedoni e Veriut: 31 viktima dhe 977 të infektuar me koronavirus


Shkup.
Shkup.

Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 31 të vdekur nga COVID-19 dhe 977 persona të tjerë të infektuar, ndërkohë që të shëruar kanë rezultuar 843 persona. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Shkup i referohen 2.930 testeve të kryera.

Viktimat janë shënuar në; Shkup (7), Manastir (4), Kërcovë (3), Ohër (3), Kumanovë (2), Shtip (2), Prilep (2), Veles (2), Tetovë (2) dhe nga një në Negotinë, Kavadar, Gjevgjeli dhe Dibër.

Numër më të madh të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus ka në Shkup si dhe në qytetet e Kumanovës, Tetovës, Prilepit, Manastirit, Shtipit, Velesit dhe Strugës.

Deri më tani me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut janë diagnositkuar mbi 48 mijë persona, prej tyre mbi 28 mijë janë shëruar, 1376 kanë vdekur, kurse raste aktive janë 18.591 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë thirrje për respektimin e masave, por gjithashtu ka njoftuar se sipas të hulumtimeve të bëra transmetimi i virusit ka filluar të ulet, megjithëse presioni mbi spitalet vazhdon të jetë i lartë andaj ka ftuar popullatën për bashkëpunim për të lehtësuar punën e punonjësve shëndetësorë.

Lidhur me numrin e lartë të vdekjeve dhe të infektuarve ka reaguar opozita shqiptare duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria.

“Është më se evidente se kjo Qeveri nuk ka kapacitet ta luftojë pandeminë e vetme. Ajo çdo ditë po dështon në tentativat e saj për ta menaxhuar këtë krizë, andaj çdo ditë e re që do ta gjejë vendin me këtë qeveri do të jetë me përmasa më të rënda e më të vështira dhe me pasoja më të mëdha. Këtë sfidë të madhe, siç është pandemia, nuk mund ta luftojë e vetme asnjë parti e asnjë koalicion qeverisës, por na duhet të gjithë bashkë t'i mbledhim forcat e t’i vendosim në funksion, sepse në të kundërtën pasojat do të jenë shumë më të mëdha, ndërsa përgjegjësia bie e tëra mbi këtë përbërje qeveritare”, ka deklaruar Afrim Gashi nga koalicioni opozitar Alternativa-Aleanca për Shqiptarët.

XS
SM
MD
LG