Ndërlidhjet

Fuqitë evropiane diskutojnë për marrëveshjen bërthamore me Iranin


Pamje satelitore nga një uzinë nëntokësore në Iran.

Qeveria gjermane tha se ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë po takohen në Berlin më 23 nëntor për diskutime me fokus marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Bisedimet do të zhvillohen disa ditë pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike tha se Teherani kishte shkelur përsëri marrëveshjen.

"Së bashku me partnerët tanë, ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndalojë shkeljen e marrëveshjes dhe të kthehet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të tij", tha një zëdhënëse e qeverisë gjermane, më 23 nëntor.

Marrëveshja bërthamore thotë se Irani mund të grumbullojë uranium të pasuruar vetëm me makina të gjeneratës së parë IR-1 dhe se ato janë të vetmet centrifuga që mund të veprojë në uzinën e saj nëntokësore në Natanz, e ndërtuar me sa duket për t'i bërë ballë bombardimeve ajrore.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën më 2018 nga marrëveshja mes fuqive botërore dhe Iranit, si dhe rivendosën sanksione të ashpra kundër Iranit. Si përgjigje, Irani, ka shkelur shumë kufizime të vendosura nga marrëveshja për të frenuar aktivitetet e tij atomike përfshirë sasinë e uraniumit të pasuruar.

Nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes - Rusia, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Bashkimi Evropian - këmbëngulin që marrëveshja është ende e vlefshme dhe i kanë kërkuar Teheranit që t'i përmbahet asaj.

XS
SM
MD
LG