Ndërlidhjet

KQZ: Në Podujevë votuan 40.51% e votuesve, në Mitrovicë të Veriut 39.14 %


Ilustrim.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka thënë të dielën se procesi zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut ka kaluar pa probleme.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, Daka ka thënë se gjatë tërë ditës janë raportuar vetëm gjashtë incidente të vogla gjatë ditës, të cilat sipas saj nuk cenojnë integritetin e zgjedhjeve.

Daka mes tjerash ka njoftuar se në Podujevë, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 40.51 për qind e votuesve, apo 35,400 persona.

Në Mitrovicë të Veriut ndërkaq, është thënë se kanë votuar 39.14 për qind e votuesve apo 9,124 persona.

Shpallja e rezultateve pritet të bëhet rreth orës 21:00.

Në garë për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.

Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.

XS
SM
MD
LG