Ndërlidhjet

Mbesin në fuqi masat kundër pandemisë në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor në Kosovë do të përfundojë më 18 dhjetor, ndërsa ai i dyti do të fillojë më 18 janar. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë së COVID-19.

Ai tha se kompensimi i orëve të humbura do të bëhet gjatë pushimeve pranverore.

Kryeministri tha se situata me pandeminë në Kosovë është mjaft serioze, por nën kontroll. Pas takimit të Komitetit, Hoti tha se nuk do të ketë masa shtesë, mirëpo do të vazhdojnë të jenë në fuqi ato aktuale, të cilat do të kërkohet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.

“Në bazë të vlerësimit të institucioneve kemi vendosur nën kontroll zgjerimin më tutje të pandemisë”, tha kryeministri Hoti.

Mirëpo, megjithatë Kosova do të vendosë disa masa të reja për festat e fundvitit, për të cilat do të vendoset nga ana e institucioneve të Kosovës në ditët në vijim, tha Hoti.

Duke folur për situatën epidemiologjike, kryeministri tha se deri më tani janë testuar 145 mijë qytetarë, prej të cilëve 38 për qind kanë dalë pozitivë, ndërsa rreth 62 për qind janë shëruar.

Kreu i qeverisë njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojnë testime ndaj koronavirusit edhe në se paku dy rajone, por pa e saktësuar se në cilat.

Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 10 viktima nga koronavirusi i ri. Sipas IKSHPK-së, nga 1.375 mostra të testuara janë konfirmuar edhe 521 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në bazë të raportit, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 585 pacientë ndërsa raste aktive janë 13.505.

Me këto të dhëna, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 40.117, prej të cilëve 1.026 kanë vdekur ndërsa 25.586 janë shëruar.

Rastet e para me koronavirus janë shënuar në mes të muajit mars.

XS
SM
MD
LG