Ndërlidhjet

Sonda kineze zbret në Hënë për të mbledhur mostra


Anija kozmike kineze duke u nisur nga territori i Kinës.
Anija kozmike kineze duke u nisur nga territori i Kinës.

Kina thotë se misioni i saj pa pilot në hënë që synon mbledhjen e mostrave të shkëmbinjve dhe pluhurit për t'u rikthyer më pas në Tokë, ka zbritur në sipërfaqen e hënës me sukses.

Sonda kozmike Chang'e-5 pritet të kalojë dy ditët e ardhshme duke hulumtuar dhe duke mbledhur materiale sipërfaqësore.

Qëllimi është që të paketohen rreth 2 kilogramë shkëmbinj hënorë që do të dërgohen në një mjet në orbitë dhe që më pas të mund të transportohen në Tokë.

Nëse misioni është i suksesshëm, kjo do të jetë hera e parë në katër dekada, që një vend merr mostra hënore, pas misioneve të SHBA-së dhe sovjetikëve në vitet 1960 dhe 1970.

I gjithë misioni pritet të zgjasë 23 ditë.

Qëllimi i tij është të ndihmojë shkencëtarët të mësojnë për origjinën e hënës, formimin dhe aktivitetin vullkanik dhe të çojnë përpara hulumtimin e hapësirës hënore.

Kina kreu dy ulje të mëparshme në hënë - më 2013 dhe 2019.

Programi hapësinor i drejtuar nga ushtria e vendit shpreson të ketë një stacion hapësinor me ekuipazh deri në 2022 dhe përfundimisht të dërgojë njerëz në Hënë.

XS
SM
MD
LG