Ndërlidhjet

Aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong dënohen me burgim


Aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, Agnes Chow dhe Ivan Lam.

Aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, Agnes Chow dhe Ivan Lam u dënuan me burgim lidhur me akuzat për një protestë të paautorizuar antiqeveritare vitin e kaluar.

Kina ka forcuar kontrollin e saj mbi rajonin gjysmë-autonom - Hong Kong – pas disa muajve të protestave antiqeveritare vitin e kaluar, të cilat herë pas here çuan në përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë.

Wong, i cili u shpall fajtor për organizimin dhe pjesëmarrjen në protestë në qershor të vitit të kaluar, u dënua me 13 muaj e gjysmë burgim.

Chow, e cila gjithashtu u shpall fajtore për pjesëmarrjen në protestë dhe nxitjen e të tjerëve për të marrë pjesë, mori një dënim me 10 muaj burgim, ndërsa Lam mori shtatë muaj pasi u deklarua fajtor për nxitje.

Mijëra njerëz rrethuan selinë e policisë gjatë demonstratës së 21 qershorit 2019, kundër një projekt-ligji ekstradimi - tashmë të tërhequr - që do të lejonte të dyshuarit të ekstradoheshin në territorin e Kinës.

Pekini, në qershor, vendosi një ligj gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare në Hong Kong, i cili është parë si një goditje ndaj autonomisë së rajonit dhe zërave që kërkojnë më shumë demokraci.

Të tre të dënuarit kanë qenë disa nga kritikët më të njohur të sundimit të Pekinit.

Hong Kong ishte një koloni britanike deri në vitin 1997 kur u kthye në kontrollin kinez.

Nën parimin e "një vendi, dy sisteme" territori supozohej të ruante më shumë të drejta dhe liri sesa pjesa tjetër e Kinës deri në vitin 2047.

Si një rajon i posaçëm administrativ, Hong Kongu do të kishte sistemin e tij ligjor, parti të shumta politike dhe të drejta, duke përfshirë lirinë e tubimit dhe fjalën e lirë.

XS
SM
MD
LG