Ndërlidhjet

Ngrihet aktakuzë për kërcënimin e ambasadorit Gashi


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.M. për shkak të veprës penale: shtytje për kryerje të veprave terroriste.

Aktakuza u ngrit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri, më 19 tetor të këtij viti, ka postuar në rrjetin social Facebook thirrje me përmbajtje kërcënuese kundër ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Thirrja për “vrasjen” e Gashit ka qenë “me paramendim dhe dashje”, tha Prokuroria.

Sipas saj, ajo është bërë pasi ambasadori Gashi ka postuar në Twitter një karikaturë të Profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së një mësuesi në Francë.

“Me këto veprime, i pandehuri F.M. ka kryer veprën penale ‘shtytje për kryerjen e veprave terroriste’ nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Çfarë ka postuar Gashi në Twitter?

Në muajin tetor, ambasadori Gashi ka shpërndarë në llogarinë e tij në Twitter një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” për kronologjinë e një akti terrorist, që ka ndodhur në një qytet afër Parisit.

Më 16 tetor, një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili në një orë për lirinë e shprehjes, u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed.

Gashi ka shpërndarë artikullin e gazetës “Le Figaro” për rastin, i cili për ilustrim ka përdorur edhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara nga revista franceze, Charlie Hebdo.

Për rrjedhojë, Gashi është përballur me kritika dhe kërcënime në mediat sociale, ndërsa Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës në Kosovë që të distancohet nga veprimi i ambasadorit.

Gashi, atëbotë, ka ftuar secilin që dyshon se ai e ka shkelur ligjin, që ta sfidojë atë në gjykatë.

XS
SM
MD
LG