Ndërlidhjet

Liderët evropianë paralajmërohen për mundësi të Brexitit pa marrëveshje


Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.

Liderët evropianë janë paralajmëruar se një marrëveshje tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian pas Brexitit ka pak mundësi të nënshkruhet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen u ka thënë atyre se skenari pa marrëveshje është më i mundshmi për t’iu dhënë fund bisedimeve “të vështira”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se BE-ja qëndron e bindur në parimet kyçe, siç është qasja në tregun e përbashkët evropian dhe kuotat për peshkim.

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar kërkesën e kryeministrit britanik, Boris Johnson që të bisedojë individualisht me Macronin dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Johnson kishte shpresuar se do të bisedonte përmes telefonit me liderët e dy ekonomive më të mëdha në bllokun evropian, sipas zyrtarëve të BE-së, mirëpo atij i është thënë që bisedimet mund të zhvillohen vetëm përmes negociatorit të BE-së për këtë çështje, Michel Barnier.

Pas komenteve të bëra nga shefja e BE-së, Johnson ka thënë se rezultati pa marrëveshje është “shumë i mundshmi” përveç nëse ka “ndryshim të madh” brenda BE-së.

Të dyja palët kanë kohë edhe pak kohë, para se Britania të largohet nga rregullat për tregti të BE-së më 31 dhjetor.

Disa javë të negociatave intensive nuk kanë pasur rezultat për të gjetur zgjidhje në çështjet kyçe, përfshirë rregullat e konkurrencës dhe të drejtat për peshkim.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

XS
SM
MD
LG