Ndërlidhjet

Në Shqipëri protestohet sërish për vrasjen e 25-vjeçarit nga policia


Pamje nga protestat në Tiranë.

Në rrugët e Tiranës, Durrësit dhe Fierit është protestuar për të tretën ditë me radhë për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga policia, në mesnatën e së hënës.

Thirrjet për protestë janë bërë fillimisht nëpër rrjetet sociale.

Policia ka shpërndarë me ujë dhe gaz lotsjellës protestuesit e mbledhur pranë zyrës së kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Siç raporton Zëri i Amerikës, në protesta janë dëgjuar thirrjet, "Poshtë Diktatura" dhe "Rama, ik".

Mes tjerash, protestuesit kanë kërkuar edhe reformim të forcave të rendit dhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Megjithatë, kryeministri Rama ka deklaruar se Veliu nuk do të largohet nga detyra.

Policia ka njoftuar për arrestimin e 59 protestuesve, derisa hetime janë duke u kryer ndaj 116 pjesëmarrësve.

Si pasojë e vrasjes, më 10 dhjetor ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur.

Ambasada amerikane në Shqipëri ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka thënë se pas bisedave që ka pasur ambasadorja amerikane në këtë shteti, Yuri Kim me krerët shtetërorë, vlerëson se “ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë për të siguruar një hetim të plotë dhe transparent për incidentin, për të ushtruar kufizim në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike dhe për të siguruar llogaridhënie në të gjitha rastet.

Si erdhi deri te vrasja?

Klodian Rasha është vrarë në mesnatën e së hënës, pasi besohet se nuk i është bindur patrullës së shërbimit dhe është larguar me vrap.

Familjarët e tij kanë pohuar se djali kishte dalë vetëm për të blerë një paketë cigare dhe faji i tij i vetëm ishte se nuk kishte maskë për mbrojtje nga koronavirusi dhe ka qenë jashtë banesës pas mesnate.

Ai është thënë të jetë vrarë afër hyrjes së shtëpisë.

Polici që vrau të riun 25-vjeçar është paraqitur të premten para gjykatës, ku i është konfirmuar masa e arrestit të tij me burgim.

XS
SM
MD
LG