Ndërlidhjet

Zaev: Jemi të gatshëm t’i japim garanci me shkrim Bullgarisë


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Maqedonia e Veriut është e gatshme që me shkrim t’i garantojë Bullgarisë se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj territorit të saj, se nuk përzihet në punët e brendshme të Sofjes dhe se është e përcaktuar të zbatojë deri në fund Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, të arritur mes dy vendeve në vitin 2017, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Ne jemi të gatshëm - nëse Bullgaria dëshiron që të japim garanci në letër, memorandum, deklaratë, protokoll, çfarëdo që mund të konfirmohet nga qeveria dhe të miratohet në një konferencë ndërqeveritare - të tregojmë se nuk kemi pretendime territoriale ndaj Bullgarisë ose ndonjë vendi tjetër”, tha Zaev.

Ai theksoi gatishmërinë e Qeverisë së tij për të vazhduar bisedimet me Bullgarinë për kapërcimin e mosmarrëveshjeve.

Bullgaria, në muajin nëntor, e ka penguar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke thënë se dallimet për gjuhën dhe identitetin nuk janë kaluar.

Që korniza negociuese të kalojë, duhet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.

Zaev, në deklaratën që dha në Qeveri me rastin e 100 ditëve të punës së tij, nuk përmendi kontestin për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike, që janë çështje kryesore e kontestit me Bullgarinë, por u ndal në çështje të tjera që po ashtu janë temë debati.

“Maqedonia e Veriut është emri i shkurtër i emrit Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky emër paraqet identitetin politik të RMV-së, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ne nuk kemi pretendime territoriale për asnjë territor të Bullgarisë ose ndonjë vendi tjetër fqinj. Për çështjen e pakicave, shqetësimet e Bullgarisë janë ngritur nga procedurat e Parlamentit Evropian, por ne, siç e kemi thënë qartë në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë, nuk ndërhyjmë në punët e brendshme, nuk kemi ndërhyrë deri më tani”, tha Zaev.

Zëvendëskryeministri për çështjeve evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, bëri të ditur edhe për një përpjekje për zhbllokimin e kontesteve mes dy vendeve, duke paralajmëruar për të mërkurën një takim të ri të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Do të ketë një takim të tillë, por pa synuar të rrisë shpresa të mëdha”, tha Dimitrov.

Bullgaria dëshiron që Shkupi të pranojë se identiteti dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Sofja, në mënyrë specifike, kërkon që gjuha e folur nga maqedonasit të quhet “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Shkupi këmbëngul se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore.

Bullgaria gjithashtu kërkon që fqinji i saj të heqë dorë nga pretendimet se në Bullgari ekziston një pakicë e veçantë maqedonase.

XS
SM
MD
LG