Ndërlidhjet

Rusisë i pamundësohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe Kupën e Botës


Ilustrim.

Gjykata e Arbitrazhit për Sport ka mbështetur sanksionet e vëna për shkak të dopingut ndaj Rusisë, duke ua pamundësuar atletëve të këtij shteti garën me flamurin rus.

Megjithatë, kjo gjykatë ka përgjysmuar periudhën e ndalesës në dy vjet për dallim nga katër sa ka qenë deri më tani.

Gjykata me bazë në Lozanë, ka njoftuar për këtë vendim më 17 dhjetor, duke thënë se zvogëlimi i ndalesës nuk duhet të shihet si “miratim” i sjellës së Rusisë.

Ndalesa tani do të vlejë deri më 16 dhjetor 2022.

Ky vendim i ndalon Rusisë garat në Lojërat Olimpike dhe ato Paralimpike të Tokios, të cilat janë shtyrë për vitin e ardhshëm, si dhe në Kupën e Botës, Katari 2022.

Agjencia Botërore anti-Doping ka vendosur ndalesë katërvjeçare në dhjetor të vitit 2019, kur ka njoftuar se Agjencia ruse kundër-Dopingut nuk ka vepruar në përputhje me rregullat e përgjithshme dhe është akuzuar për manipulim me teste për ilaçe.

Presidenti rus, Vladimir Putin pati dënuar ndalesën atëbotë, duke e konsideruar “të motivuar politikisht” dhe në kundërshtim me Kartën Olimpike.

Agjencia Botërore anti-Doping pati vërtetuar se të dhënat laboratorike janë manipuluar me të dhëna të rreme dhe zhdukje të testeve, që kanë rezultuar pozitive për doping, çka do të ndihmonte në gjetjen e mashtruesve.

Atletët që do të vërtetojnë se nuk janë të përfshirë në skandalin me doping, do të jenë në gjendje të garojnë nën një flamur neutral.

Përgjatë kësaj kohe, Rusisë i është ndaluar edhe organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG