Policia e Kosovës ka konfirmuar të shtunën se kanë ndodhur dy grabitje në institucione financiare për transfere ndërkombëtare të parave në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i ka thënë Radios Evropa e Lirës, se rasti i parë ka ndodhur në orën 10:30 në filialin e një institucioni financiar në kryqëzimin e rrugëve "Edmond Hoxha" dhe "Hajrullah Abdullahu" në Prishtinë .
"Bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur", tha Borovci.
Grabitja e dytë ka ndodhur në orën 10:40 në një institucion financiar për transferta parashë në rrugën "Bill Clinton". Policia thotë se dyshohet se kjo grabitje të jetë kryer nga një person.
Për të dy rastet, forcat e rendit kanë nisur hetimet.
Të premten, më 18 dhjetor, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat në Prishtinë.
Rasti kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në një qendër tregtare në lagjen Veternik, në Prishtinë.