Ndërlidhjet

Trump paralajmëron se nuk do ta nënshkruajë paketën e ndihmës


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur paketën e ndihmës ekonomike 900 miliardë dollarëshe, të miratuar nga Kongresi, një "turp", duke sugjeruar që ai nuk do ta nënshkruajë atë.

Në një video të postuar në Twitter më 22 dhjetor, Trump nuk tha në mënyrë të qartë se do të vinte veton mbi projekt-ligjin, por u ankua se ai përmban shumë shpenzime të kota dhe nuk ofron mbështetje të mjaftueshme të drejtpërdrejtë për amerikanët.

Projekt-ligji siguron një pagesë të vetme prej 600 dollarësh për shumicën e amerikanëve, por Trump tha se ai po i kërkon Kongresit të ndryshojë projekt-ligjin dhe "të rrisë shumën nga 600 në 2,000 ose 4,000 dollarë për një çift".

"Unë jam gjithashtu duke kërkuar që Kongresi të heqë gjërat e kota dhe të panevojshme nga ky legjislacion dhe të më dërgojë një projekt-ligj të përshtatshëm", tha Trump.

Ai gjithashtu tha se projekt-ligji nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për bizneset e vogla, veçanërisht për restorantet.

"Quhet dokument për lehtësimin e situatës së COVID-19 por nuk ka pothuajse asgjë të bëjë me COVID", tha ai.

Republikanët dhe demokratët kanë negociuar projekt-ligjin që nga muaji korrik.

Legjislacioni – me numrin më të madh të faqeve të shkruara ndonjëherë nga Kongresi– u miratua pas disa muajve të negociatave të dështuara në mes të demokratëve, republikanëve dhe Shtëpisë së Bardhë.

XS
SM
MD
LG