Ndërlidhjet

Arrestohet një person nën dyshimet për korrupsion gjatë testimeve për COVID-19


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka arrestuar një laborant të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), pas informacioneve se i njëjti i ka mundësuar një personi tjetër që të testohet për COVID-19, pa pritur në rend, dhe në këmbim të marrjes së rezultatit, një ditë më vonë, i ka kërkuar para në vlerë 20 euro. IKSHPK ka thënë se personi i arrestuar nuk është staf i këtij institucioni.

Vendimi për ndalim të të dyshuarit është marrë për kohëzgjatje prej 48 orësh, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, me datë 30.12.2020, pas pranimit të informacioneve relevante lidhur me dyshimet se është duke u kryer (apo ka për t’u kryer) vepra penale e korrupsionit, menjëherë kanë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit/ve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Video nga arkivi:

Policia e Kosovës thekson se edhe në këtë periudhë të angazhimeve për menaxhimin e situatës së sigurisë së përgjithshme, po ndërmerr veprime aktive edhe në funksion të ofrimit të ndihmës për institucionet tjera shtetërore në të mirë të ruajtjes së shëndetit publik.

“Nuk do të tolerohet asnjë individ pavarësisht rolit dhe funksionit që ka, aq më tepër gjatë kësaj periudhe të pandemisë nëpër të cilën po kalojmë, të cenoj të drejtat e garantuara të qytetarëve tanë, në veçanti kur ato kanë të bëjnë me shëndetin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

IKSHPK: Personi i arrestuar nuk është pjesë e stafit

Në anën tjetër, IKSHPK përmes një komunikate ka thënë se personi i arrestuar nga Policia e Kosovës në ambientet e punës të IKSHPK-së nën dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit, nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së.

“Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me pandeminë COVID 19”, thuhet në komunikatë.

Ky rast, sipas IKSHPK-së, nuk mundet në asnjë mënyrë të zbeh punën kolosale të personelit të IKSHPK në luftimin e pandemisë me COVID-19 gjatë gjithë vitit 2020.

XS
SM
MD
LG