Ndërlidhjet

Saga rreth aksioneve të kompanisë GameStop


Ilustrim.
Ilustrim.

Ky artikull është publikuar fillimisht në VOA.

Tregjet financiare amerikane janë përfshirë së fundmi në sagën e çmimit në rritje të aksioneve të një kompanie që shet video-lojëra me pakicë.

GameStop, që fiton shumicën e parave duke shitur video-lojëra në dyqane në Shtetet e Bashkuara, është përballur me rritje të aksioneve për 1,700 për qind këtë javë, e përkrahur nga shumë persona që besojnë ajo se pa të drejtë është nënvlerësuar nga investitorë të mëdhenj, të cilët kanë bërë baste me miliarda dollarë se kompanisë do t’i binte vlera.

Ndërkohë që investitorët e vegjël kanë bërë të ditura blerjet e tyre nga kjo kompani përmes postimeve virale online, vlera e aksioneve të GameStop është rritur shumë shpejt në treg, çka ka detyruar investitorët që të shpenzojnë miliarda dollarë për të mbuluar humbjet e tyre.

Drama rreth tregtisë së kompanisë GameStop, ka tërhequr edhe vëmendjen e disa anëtarëve të Kongresit, disa prej të cilëve kanë bërë thirrje për hetime të investitorëve, kompanive dhe rregullatorëve të përfshirë.

Çfarë ka ndodhur me GameStop?

GameStop është kompani që shet me pakicë, e cila po përballet me të njëjtën presion sikurse shumë kompani tjera në Shtetet e Bashkuara, ku trendet e blerjeve dhe pandemia kanë ndikuar që njerëzit të blejnë mallra më shumë online sesa nëpër dyqane.

Investitorët e Wall Street kanë bërë shumë baste kundër kompanisë disa muaj më parë, duke besuar se modeli i krijimit të saj do të dështojë.

Mirëpo jo secili është pajtuar.

Disa muaj më parë, disa anëtarë të një grupi të famshëm për tregje të aksioneve në platformën Reddit, kanë nisur të inkurajojnë të tjerët që të investojnë në GameStop, duke thënë se investitorët e mëdhenj kanë gabuar dhe se kjo kompani është nënvlerësuar.

Si përfundim, më shumë investitorë janë përfshirë në këtë rast, dhe disa ditë më parë, kur konflikti është përhapur gjithandej nëpër rrjetet sociale, investitorë shtesë kanë kryer blerje, duke nxitur rritje tejet të shpejtë të vlerës së kompanisë në treg.

Logoja e kompanisë Reddit.
Logoja e kompanisë Reddit.

Rritja e vlerës së saj ka qenë shkatërruese për shumë investitorë të mëdhenj, të cilët kanë parashikuar të kundërtën.

Çfarë është “blerja e shkurtër”?

E ashtuquajtura blerje e shkurtër, është një lloj strategjie e tregut, por me rrezik të lartë.

Kjo lloj blerje nënkupton që një investitor huazon aksione nga një huadhënës dhe i shet ato në treg me mendimin që vlera e atij aksioni do të bie. Investitori më pas i blen sërish të njëjtat aksione me çmim më të ulët, dhe e mban diferencën para se t’ia kthejë aksionet huadhënësit. Në atë mënyrë, investitori fiton para.

Çfarë është duke thënë Kongresi?

Pas rrëmujës së shkaktuar në tregje të aksioneve në blerjet lidhur me GameStop, AMC dhe tregje tjera, senatori demokrat, Sherrod Brown nga Ohajo, i cili do të udhëheqë Komitetin e Senatit për Banka, ka thënë se planifikon të mbajë një seancë për “gjendjen aktuale të tregut të aksioneve”.

“Njerëzit në Wall Street kujdesen për rregullat vetëm kur rrezikojnë të dëmtohen ata vetë. Punëtorët amerikanë e kanë ditur për shumë vjet që sistemi në Wall Street është i dëmtuar – ata tani janë duke paguar çmimin”, ka thënë Brown përmes një deklarate.

“Ka ardhur koha që Komisionit për Letra me Vlerë dhe Këmbime, që rregullon tregjet e aksioneve në SHBA, dhe Kongresi të mundësojnë që ekonomia të funksionojë për të gjithë, jo vetëm për Wall Street-in”.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, përfaqësuesja demokrate, Machine Waters, udhëheqëse e Komitetit të kësaj Dhome për Shërbime Financiare, ka thënë se planifikon të organizojë një seancë për të analizuar blerjet e shpejta dhe praktikat tjera të tregjeve të aksioneve, të cilat janë vënë në pah kur është bërë tregti me GameStop dhe aksione të kompanive tjera.

“Si hap i parë drejt frenimit të këtyre praktikave abuzuese, unë do të organizoj seancë për të analizuar aktivitetin rreth GameStop, dhe aksionet tjera që janë prekur nga blerjet e shkurtra, platformat online për tregti, dhe ndikimin e tyre sistematik në tregjet tona dhe investitorët e kompanive që shesin me pakicë”, ka thënë Waters përmes një deklarate.

Një varg anëtarësh të Kongresit, po ashtu kanë kërkuar nisjen e hetimeve rreth aplikacionit për investime, Robinhood, i cili për një periudhë ka kufizuar tregtinë, pas tregtisë së paqëndrueshme që është bërë së fundmi në GameStop.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG