Ndërlidhjet

DnV: Deri në ora 13:00 pjesëmarrja në zgjedhje 19.8 për qind


Një grua duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 14 shkurt.
Një grua duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 14 shkurt.

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se në bazë të të dhënave që posedojnë nga vëzhguesit, deri në ora 13:00, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë votuar 19.8% e votuesve.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2% më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, dalja në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë sillet në kuadër të mesatares së përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar dalje më të ulët për 2% ndërsa dalja në Prizren është edhe më e ulët përkatësisht 4% më e pak se mesatarja në nivel vendi. Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10% mesataren e daljes në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Vëzhguesit në këto zgjedhje po monitorojnë edhe respektimin e masave kundër pandemisë. Sipas DnV-së, deri në ora 13:00, në 26% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 gjatë votimit, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

“Në 41% të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 27% të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës”, raportojnë vëzhguesit e DNV-së.

Ndër incidentet serioze që kjo organizatë e përmend në raportin e saj, është mungesa e komisionerëve për një periudhë më të gjatë se 2 orë në në vendvotimin 1708C/04R. Sipas DnV-së rolin e tyre e ka ushtruar një vëzhguese nga një subjekt politik.

“Deri në orën 13:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 4% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste). Votimi me dokumente jo valide është hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste). Në 45% të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 48% të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste”, thuhet në njoftim.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

XS
SM
MD
LG