Ndërlidhjet

Arrestohen tetë policë të Kosovës


Fotografi ilustruese

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ka arrestuar tetë zyrtarë policorë, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit për media, operacioni i koduar “Jugu” u realizua në orët e hershme të mëngjesit në tre lokacione në Prishtinë.

Të arrestuarit dyshohen për: “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, cenim të së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe falsifikim të dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Po ashtu bëhet e ditur se në cilësinë e provave janë konfiskuar gjësende të ndryshme.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media, njoftoi se në mesin e të arrestuarve janë edhe dy gra dhe një pjesëtar i policisë i komunitetit serb.

Me këtë aksion, sipas Lumezit është dërguar “mesazh i qartë te të gjitha grupet kriminale se herët apo vonë, të gjithë do të përballen me drejtësi”. Ai shtoi se për këtë rast janë kryer hetime për më shumë se një vit.

Policët e arrestuar kanë punuar në stacionin policor "Jugu" në rajonin e Prishtinës.

Nga Inspektorati policor tha se disa prej zyrtarëve të arrestuar u janë gjetur në posedim substanca narkotike, por thanë se pas hetimeve të mëtejme do të kuptohet se nëse ata kanë qenë të përfshirë në shitjen e substancave narkotike.

Hetuesit e Inspektoratit paralajmëuan edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast.

XS
SM
MD
LG