Ndërlidhjet

Balje: Demokracia nuk mund dhe nuk do të shkelet nga askush


Ilustrim.

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU) nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka thënë të premten se tani e tutje, kushdo që garon për ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, e ka të qartë që nuk mund të luajë me vullnetin e askujt.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo ka thënë se i vjen keq që disa njerëz janë “terrorizuar në këto zgjedhje” dhe se askush nuk mund të shkelë dinjitetin e asnjë komuniteti me vota të një komuniteti tjetër.

“Verdikti i organeve të drejtësisë së shtetit të Kosovës tregoi se demokracia nuk mund dhe nuk do lejohet të shkelet nga askush. Arrestimet për keqpërdorimet në procesin zgjedhor janë sinjal i qartë që s'ka lojë me shtetin ligjor”, ka deklaruar ajo.

Në po këtë ditë Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, lidhur me dyshimet për kryerje të veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Kllokoti është komunë me shumicë serbe në Kosovë, 55 kilometra larg Prishtinës derisa Dejanoviq është anëtar i Listës Serbe.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të premten është zhvilluar një aksion policor në Kosovë lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Gjatë së premtes, Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë pjesën e mbetur të aneksave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në vendim, gjykata ka hedhur poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, Iniciativës Rome, Partisë Liberale Egjiptiane, Partisë së Ashkalive për Integrim, Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq dhe Unionit Socialdemokrat (SDU).

Adrijana Hoxhiq i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e ka vlerësuar vendimin e PZAP-së, të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG